
Urimi i Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, me rastin e festës së Kurban Bajramit – 2025
Të dashur besimtarë,
Vëllezër dhe motra,
Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi ju dhe mbi familjet tuaja!
Në këtë natë të madhe të Kurban Bajramit, kur zemrat dridhen nga madhështia e sakrificës dhe kur shpirti kërkon edhe më shumë afërsinë me Zotin, ju drejtohem me përulësi të thellë dhe dashuri të sinqertë në emër të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, në emër të institucioneve të saj dhe në emrin tim si Myfti i Republikës, për t’ju përcjellë për këtë festë kaq madhështore, festën e Kurban Bajramit, urimet më të përzemërta, duke e lutur Zotin e Madhërishëm që kjo ditë e bekuar t’ju gjejë me zemra të qeta, me shëndet dhe mirëqenie, me familje të bashkuara dhe me besim të thelluar në vlerat më të larta shpirtërore.
Kurban Bajrami është përkujtim i sakrificës profetike të Ibrahimit a.s., i cili ishte i gatshëm që ta flijonte më të dashurin e tij për hir të Zotit të Madhërishëm, dhe i cili na mësoi se besimi i vërtetë nuk njeh kufij dhe as frikë nga sprovat, por gjen kuptimin më të lartë pikërisht në dorëzimin e plotë ndaj vullnetit hyjnor të Zotit xh.sh..
Në këtë ditë, zemrat e besimtarëve mbushen me mirënjohje dhe përkushtim, ndërsa duart e tyre shtrihen në ndihmë dhe bujari, ngase kjo festë është një akt që mishëron frymën e afërsisë me Zotin dhe përgjegjësisë ndaj shoqërisë.
Me bindjen dhe nënshtrimin ndaj Zotit, flijimin, përkushtimin, solidaritetin dhe ndarjen me të varfrit, dashurinë dhe unitetin familjar dhe shoqëror për hir të dashurisë hyjnore, Zoti i Madhërishëm thotë:
فَصَلِّ لِرَبِّكَ وَٱنۡحَرۡ
“Andaj, falu (vetëm) për Zotin tënd dhe ther kurban!” (Kevther, 2).
Sot, kur miliona besimtarë janë në tokën e shenjtë të Mekës dhe ku do ta kalojnë këtë ditë në rrafshnaltën e Arafatit, e në mesin e tyre gjenden edhe haxhilerët nga Kosova, të cilët janë duke e përjetuar haxhin – udhëtimin e jetës me lutjet e tyre drejtuar Krijuesit për falje gabimesh, shëndet dhe mirëqenie për familjet e tyre, për popullin tonë dhe siguri për vatanin tonë.
Në përmbushjen e kësaj thirrje hyjnore që zë fill që nga koha e Ibrahimit a.s., i cili na e kujton rrugëtimin e shpirtit në kërkim të pastrimit, përuljes dhe bashkimit me të gjithë myslimanët e botës në një akt universal adhurimi dhe barazie. Çdo hap i bërë në tokën e shenjtë, çdo lutje në Arafat, është një thirrje për mëshirë dhe një betim për një jetë të ndershme, në shërbim të së drejtës dhe drejtësisë.
Zoti i Madhërishëm thotë:
لَيۡسَ عَلَيۡكُمۡ جُنَاحٌ أَن تَبۡتَغُواْ فَضۡلٗا مِّن رَّبِّكُمۡۚ فَإِذَآ أَفَضۡتُم مِّنۡ عَرَفَٰتٖ فَٱذۡكُرُواْ ٱللَّهَ عِندَ ٱلۡمَشۡعَرِ ٱلۡحَرَامِۖ وَٱذۡكُرُوهُ كَمَا هَدَىٰكُمۡ وَإِن كُنتُم مِّن قَبۡلِهِۦ لَمِنَ ٱلضَّآلِّينَ
“Nuk është gjynah të kërkoni nga Zoti juaj ndonjë të mirë. E, kur të ktheheni nga Arafati, përmendni Allahun në vendet e shenjta! Përmendni Atë që ju ka udhëzuar në rrugën e drejtë, sepse ju më parë ishit të humbur” (El Bekare, 199).
Të dashur qytetarë,
Vëllezër e motra!
Kurban Bajrami është një festë fetare, por megjithatë ajo bartë në vete edhe mesazhe të thella shoqërore dhe atdhetare. Festa e Bajramit nuk kufizohet vetëm në adhurim, por ajo kontribuon në forcimin e vlerave që ndërtojnë shoqërinë dhe e forcojnë atdheun. Prandaj themi se kjo festë forcon ndjenjën e bashkësisë dhe vëllazërisë ndërmjet nesh, e që është bazë për një shoqëri të shëndoshë dhe një shtet të qëndrueshëm.
Në këtë natë të kësaj feste të bekuar, nuk mund të mos ndalemi dhe të reflektojmë mbi sakrificat e popullit tonë, të cilat i përngjajnë sakrificës së Ibrahimit a.s.. Ne kemi njohur dhimbjen, kemi kaluar sprova të rënda, kemi dhënë më të dashurit tanë për një të ardhme më të mirë dhe për një jetë me dinjitet dhe liri.
Përmes flijimit, durimit dhe besimit të palëkundur, populli ynë ka ngritur themelet e ekzistencës së vet mbi vlerat e sakrificës dhe të së drejtës.
Le ta ndërlidhim këtë festë të bekuar me kujtesën tonë kolektive dhe me përgjegjësinë që kemi për të jetuar me nder, për ta ruajtur lirinë që u arrit me mund dhe gjak, si dhe për të qenë gjithmonë zë i drejtësisë, i paqes dhe i vlerave hyjnore.
Në prag të çdo feste të risjellim në kujtesën tonë, të kaluarën tonë, të qëndrojmë me zemra të mbushura me mirënjohje dhe me krenari para sakrificës sonë, të kujtojmë ditët tona të flijimit dhe të sakrificës, kohërat tona të vuajtjes, vendet tona të flijimit, netët tona të lutjeve në errësirë, gjithherë me shpresën në Zotin Një për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë.
Kjo natë është edhe përkujtim i përjetshëm i dëshmorëve tanë, i nënave që ende nuk gjetën eshtrat e bijve dhe bijave të tyre, i fëmijëve që u rritën pa përqafimin e prindit, por me krenarinë se ata ishin pjesë e një sakrifice të shenjtë për liri. Sot, kur ne therim kurbanin, e dimë se çdo pikë gjaku që rrjedh nga kurbani është betim për të qenë më të drejtë, më të mëshirshëm dhe më të përkushtuar ndaj Zotit dhe ndaj njëri-tjetrit.
Bajrami nuk është thjesht vetëm një festë, është kulmi i besimit, i sakrificës dhe i mirësisë. Bajrami është urë që bashkon njerëzit me mëshirën e Allahut dhe me njëri-tjetrin në paqe dhe dashuri.
Në ditën e Bajramit, le t’i hapim dyert e zemrës, jo vetëm për të afërmit, por edhe për nevojtarët, të vetmuarit dhe të harruarit. Në këtë ditë të bekuar le t’i falim të tjerët ashtu siç dëshirojmë që të na falë Zoti ne.
Le të përqafojmë, ashtu siç shpresojmë që të na përqafojë mëshira dhe falja e Zotit të Madhërishëm.
Le të jetë kjo festë një thirrje për më shumë mirësi ndër ne, për bashkim rreth vlerave që na mbajtën gjallë ndër shekuj, siç janë: besimi, dinjiteti, drejtësia dhe solidariteti.
Le ta shndërrojmë besimin në vepër, fjalën në shërbim, kujtimin në përgjegjësi, për të falur, për t’i afruar zemrat dhe për t’i përforcuar familjet dhe shoqërinë me dashuri, mëshirë, paqe dhe drejtësi. Kjo ngase, Zoti i Madhërishëm nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ai popull të mos ta ndryshojë vetveten.
Zoti e ruajt popullin tonë dhe i faltë paqe dhe begati vendit tonë!
Me fat festa e Kurban Bajramin!
Myftiu Naim ef. Tërnava
Prishtinë, më 5 qershor 2025