Inagurimi i shkolles 9 vjeçare hotolisht


I nderuar z. Kastriot Gurra,
Të nderuar përfaqësues së ministrisë së arsimit,
Të nderuar nxënës dhe mësues
Të nderuar pjesëmarrës

Paqja e Zotit qoftë mbi ju!

Jo vetëm për ne por edhe për shumë nxënës, banorë të Hotolishtit dhe mësues është një ditë e veçantë. Një ditë reflektimi dhe mirënjohje për të gjithë ata burra dhe gra që na e besuan këtë amanet.
Ja dhe ky amanet u përfundua me sukses.
Në Shqiperi kemi ardhur disa herë dhe kemi kërkuar një vend bamirësie por nuk ka investim më të mirë sesa për të ardhmen tonë dhe padyshim që e ardhmja e një Kombi varet nga rinia dhe shkollimi i saj.
Pasi u njohëm me disa njerëz të mirë, na propozuan ndërtimin e kësaj shkolle e cila ishte rrënuar me themel kështu që kryesia e uiazd vendosi që fondet e mbledhura nga dashamirët tanë në Gjermani ti investoj këtu.
Pas mirënjohjes të thellë ndaj Zotit, një falenderim të veçantë ia dedikojmë kryetarit të bashkisë së Librazhdit z. Kastriot Gurra i cili na mirëpriti që në ditën e parë dhe për të gjithë infrastrukturen e ofruar për realizimin e projektit.
Po ashtu një falenderim të përzemërt ia drejtojmë kryesisë së shoqatës mirësia për angazhimin e saj të vyer dhe nuk lëmë pa përmendur pronarin e firmës së ndërtimit z. Skender Gurra i cili e përfundoi shkollën me ritëm rekord në kohë.
Po ashtu një mirënjohje të posaçme ia dedikojmë të gjithë atyre besimtarëve shqiptar në Gjermani që kontribuan dhe qëndruan në krah të Kombit të tyre në ditë të vështira.

Por ja që pas vështirësive vjen lehtësimi e ku ka lehtësim më të madh kur shikon fëminë duke buzëqeshur e shkuar i motivuar në shkollë. Ky mjedis i pajisur më së miri me të gjitha kushtet e një shkolle moderne europjane do të jetë nxitës për rezultate sa më të larta në garën e bukur dhe fisnike të dijes.
Shqipëria është e bukur por besojmë se me këtë shkollë moderne është bërë akoma më e bukur!
E përfundoj fjalën time:
Ne jemi mirë, kur Shqipëria është mirë!

Zoti e bëftë këtë shkollë vatër edukimi e shkollimi e dashtë Zoti që nga kjo shkollë të dalin shkencëtare që ndriçojnë botën.

Ju faleminderit!