Union der Islamisch-Albanischen Zentren in Deutschland e.V.

Fitër Bajrami dhe Kurban Bajrami, janë festa të islamit. Zoti i ka lidhur festat në islam, me rituale dhe adhurime madhore. Kështu, Ai e ka lidhur festën e Fitër bajramit, me agjërimin e muajit të Ramazanit ndërsa Kurban Bajramin me kryerjen e Haxhit.

Festat e myslimanëve lidhen me dy dimensione madhore, njëri hyjnor kurse tjetri njerëzor. Dimensioni hyjnor, është fakti se njeriu, edhe pse në festë, nuk e harron Zotin e tij por përkundrazi, ai e madhëron dhe falënderon Atë në çdo rast. Festa nuk është moment shpërthimi për të përmbushur të gjitha epshet dhe pasionet, por është festë e cila fillon me madhërim të Zotit, lutje dhe afrim me Zotin. Të festosh nuk do të thotë të çlirohesh nga adhurimet, ritualet dhe bindja ndaj Zotit, për të bërë ç’të të dojë qejfi.

Sakaq, dimensioni njerëzor i festës është në gëzimin, dëfrimin, harenë, lojën, këngën, veshjet e reja, komunikimin dhe festimin me të tjerët etj…

Pikërisht për këtë, islami e ka obliguar besimtarin që gjatë fitër bajramit, të japë zekatin e fitrit. Profeti a.s e ka bërë obligim këtë taksë për të rriturit dhe të vegjlit, për burrat dhe gratë. Ajo është një formë pastrimi për agjëruesit nga të metat e mundshme që mund ti kenë shoqëruar gjatë agjërimit, por është dhe ushqim për fukarenjtë. “I furnizoni që të mos lypin sot!” u thoshte Profeti a.s myslimanëve. Kështu, në vend që fukarenjtë të sillen rreth e rrotull duke lypur, shko ti tek ai dhe jepja zekatin pa ta kërkuar. Gëzoje këtë ditë ashtu siç gëzon edhe ti. Festa nuk është e kufizuar vetëm për ata që kanë mundësi ekonomike, por është edhe për të vobektët dhe hallexhinjtë. Nëse i varfëri i sheh fëmijët e tjerë të veshur mirë, ndërkohë që fëmijët e tij janë veshur me rrecka, kjo festë dhe ky gëzim i ngec në fyt. E si mund të gëzojë, nëse fukarai i sheh të tjerët teksa blejnë dhe ushqehen me gjëra të mira, ndërkohë që ai vetë nuk ka asgjë për të shuar urinë. Në raste të tilla, festa shndërrohet në stres dhe vuajtje. Prandaj dhe islami ka sanksionuar sadakanë e fitrit dhe kurban bajramin, me qëllim që edhe fukarenjtë të gëzojnë. Pra festat në islam janë si për të pasurit ashtu edhe për të varfrit, si për të rriturit ashtu edhe për të vegjlit, si për burrat ashtu edhe për gratë.
Islami si fe hyjnore nuk është fe e sikletit dhe shtrëngimit, por fe e cila përkon me natyrën njerëzore dhe natyra njerëzore e pëlqen argëtimin dhe gëzimin, sidomos në raste festash duke përfshirë të gjithë.

Ju urojmë të gjithë shqiptarëve në Gjermani dhe myslimanët anë e mbanë botës, Gëzuar festën e Fitër Bajramit. Zoti e bëftë këtë ditë, pikënisje të çdo të mire!

Me respekt:
UIAZD

Scroll to Top